Vuçiqi: Dialogu do të vazhdojë të mërkurën në nivelin teknik
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta.
Ai tha se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.
“Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik”, tha Vuçiq, përderisa vazhdimi i bisedimeve me kryeministrin Hoti, ai tha se do të mbahet brenda dy javësh.
Vuçiq gjithashtu deklaroi se gjatë takimit, Kosova kërkoi që të hapen arkivat e policisë së Serbisë, dhe Serbia në anën tjetër ka kërkuar që Kosova të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Rel.
“Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose ku mendojnë se është e mundur që të ketë ndonjë varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne. Sepse deri më tani nuk kemi pasur qasje në Llapushnik, Gjakovë, Koshare dhe në disa lokacione të tjera”, tha presidenti i Serbisë.