Vuçiqi: Dialogu vazhdon pasi Kosova të tërheq vendimin për taksat
Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.
Edhe ky takim është lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Pas takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk ka dialog me Kosovën përderisa nuk tërhiqet taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Mos të vendosë tarifa të reja, nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat. Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund të respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se nuk ka folur për shkëmbim territoresh asnjëherë, mirëpo do të vazhdojë dialogun për të parë se çfarë fiton Serbia nga ky proces.