Vuçiqi: Do ta kërkoj mbështetjen amerikane për çështjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do ta ftojë përsëri presidentin e ShBA-së, Donald Trump, të vizitojë Serbinë, si dhe do të “përpiqet të flasë” për Kosovën me disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Trumpit.
Ai ka thënë se do të kërkojë mbështetjen për një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës.
Vuçiqi këto komente i ka bërë kur është pyetur për festimin në Kosovë të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, dhe deklaratën e bërë nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer, se ShBA-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Kosovës, raporton “Rel”.
“Natyrisht që Amerika është në anën e Kosovës dhe do ta mbrojë atë. Këtë e bëjnë edhe Gjermania dhe vendet e tjera të Kuint-it, dhe për ne problemi është më i madh dhe më i vështirë”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka theksuar se ky është një problem kyç për Serbinë, por se vendi do të vazhdojë të luftojë për interesat kombëtare.
“Qëllimi ynë është që Serbia të mos ketë armiq, dhe se me ata që dikur ishim, përpiqemi të kemi marrëdhënie normale dhe të balancuara”, ka deklaruar Vuçiqi.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Metthew Palmer, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të kthehen në tryezën e bisedimeve duke deklaruar se zgjidhja më e mirë është njohja e ndërsjellë. Ai, sërish porositi autoritetet e Kosovës të heqin taksën ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i dialogut.