Vuçiqi do të pritet me protesta në Tiranë
Presidenti serb, Aleksander Vuçiq do të qëndrojë sot në Tiranë në kuadër të punimeve për të ashtuquajturin Mini-Schengenin Ballkanik.
Bashkë me Vuçiqin, në Tiranë do të qëndrojë edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Porse, presidenti serb në Shqipëri do të pritet me protesta.
Vetëvendosje në Shqipëri ka organizuar një tubim kundër ardhjes së Vuçiqit në kryeqytetin shqiptar.
Nga kjo lëvizje kanë bërë të ditur se do të shpalosen pankarta me mbishkrime, “Vuçiq, një kriminel lufte që vjen të pozojë si bamirës”.
“Video e konferencës së sotme për shtyp: “Vuçiç, një kriminel lufte vjen të pozojë si bamirës”. Këtë të premte, në ora 17:00, te lulishtja “Qemal Stafa”, përball Hotel Rogner, u bëjmë thirrje qytetarëve të na bashkohen në aksionin paqësor dhe simbolik në kundërshtim të vizitës së presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe të projektit të “minishengenit””, thuhet në njoftim.
Kujtojmë, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim pikërisht për shkak të prezencës së Serbisë aty.