‘Vuçiqi e ka refuzuar’, Kurti e bën publik qëndrimin për planin franko-gjerman
Për herë të parë, kryeministri Albin Kurti ka folur haptas për propozimin të ashtuquajtur franko-gjerman.
Ai ka thënë se e ka vlerësuar dhe nuk e ka kundërshtuar, ndonëse i ka pasur disa vërejtje. Serbia, sipas tij, e ka refuzuar.
Kryeministri Kurti ka treguar në mënyrë kronologjike se si erdhi deri te një propozim për marrëveshje.
“Unë e thash shumë qartë , nuk është për të mos e pranuar, por për ta maskuar refuzimin e planit. Pra, ata e kanë refuzuar planin, e kanë refuzuar propozimin. Dhe, tani i bëjnë këto drama…”, ka thënë Kurti.
Kurti ka dhënë pikëpamjen e tij mbi planin franko-gjerman, për të cilin ka thënë se është “bazë e mirë” dhe se është i bazuar mbi vlera.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse ato nocionet që përdorën, janë vlera. Për dallim prej dakordimeve të mëhershme, që ishin përbrenda – le ta quajmë ideologjisë së zgjidhjeve të problemeve”, ka thënë ai.
Më tutje, Kurti ka thënë se gjithçka nisi më 18 gusht, kur ai është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.
“Tash jemi tek vlerat dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Gjithçka ka filluar më 18 gusht, kur në takimin në Bruksel, në kuadër të agjendës, pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Jam i bindur se deri më 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje”, është shprehur Kurti.
Kryeministri ka treguar se këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, i kanë sjellë një përmbledhje modelesh për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj, patën ardhur në zyrën time këtu, këshilltarët e lartë të kancelarit Sholz dhe presidentit Macron. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por u kam thënë se janë bazë e mirë”, ka thënë Kurti, duke insistuar se Serbia e ka refuzuar këtë plan dhe më pas ka zgjedhur të veprojë me metoda destabilizuese.