Vuçiqi: E kam thënë 100 herë që s’jam i interesuar për njohje reciproke me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ripërsëritur se derisa ai është president, deri në zgjedhjet e vitit 2022, nuk do të ketë njohje të Kosovës.
“Ne e bëmë më të mirën. Ne ndoqëm një politikë të zgjuar, e shpëtuam Serbinë nga konflikti, pa heroizëm u shpëtuan jetërat e atyre që duan të qëndrojnë në Kosovë. Ne investuam në mbijetesën e tyre, pa rrezikuar paqen. Unë njoh mijëra njerëz që mezi presin konflikt të ri dhe ata do të gjenin arsye të panumërta për drejtësi pse do ta dëshironin atë”, ka thënë ai.
Numri një i Serbisë në një intervistë për “Novosti” ka thënë se “është e vështirë të bisedohet me shqiptarët”.
“E tëra që shihni është një fushatë në baza ditore kundër serbëve, Serbisë dhe presidentit të saj. Serbët do të ishin të mirë nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, dhe vetëm një ditë më vonë do të fillonin kërkesat për dëmet e luftës, dy ditë më vonë do të ishte: pranoni që keni kryer gjenocid”.
“ Të gjitha bisedat e tyre janë reduktuar në “njohje reciproke”. Unë u kam thënë njëqind herë se nuk më intereson. Çfarë fitoi Serbia nga kjo? Duhet të ketë një ndryshim të vetëdijes në udhëheqjen e tyre, ashtu siç është i nevojshëm presioni nga Bashkimi Evropian për të përmbushur ato që janë nënshkruar, dhe për të cilat BE është garantuese. Derisa të përmbushet kjo, nuk besoj se dikush do të ketë besim të madh në besueshmërinë e bisedave tona, në seriozitetin, përgjegjësinë dhe shpërndarjen e mundshme të ndonjë rezultati më serioz”, ka thënë Vuçiqi.