Vuçiqi: E takoj Kurtin nëse s’kam ndonjë punë tjetër
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borell, në një prononcim për medie kishte përmendur 11 majin si datë të mundshme për një takim në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Megjithatë, një takim i tillë kishte dështuar, meqë kryeministri Albin Kurti kishte thënë se nuk shkon në takime për të cilat nuk është marrë edhe pëlqimi i tij paraprakisht.
E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po mundohet që tashmë Kurtit t’ia kthejë në të njëjtën monedhë, duke thënë se mund të shkojë për takim në mes të qershorit vetëm nëse nuk ka ndonjë obligim tjetër dhe nëse është i lirë.
“Nëse ajo ditë është e lirë për mua, do të shkojë, nëse jo, do t’iu them që ta shtyjnë takimin për një ditë tjetër”, ka thënë Vuçiq nga Praga.
Kreu i shtetit serb ka thënë se është gjithmonë i gatshëm për dialog, meqë kjo sipas tij është në të mirë të dy popujve.