Vuçiqi: Emërimi i ambasadorit Grenell, lajm befasues
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se për të është befasues lajmi i emërimit të Richard Grenell, si i dërguar i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se sot do të zhvillojë një bisedë telefonike, me Richard Grenell, që është edhe ambasador i ShBA-së në Gjermani.
Pas një takimi në Beograd me përfaqësuesit e Listës Serbe, Vuçiqi ka thënë se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë zhvilluar nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe se përfaqësues i posaçëm ka qenë Matthew Palmer.
“Presidenti amerikan, Donald Trump, tash ka bërë një emërim të ri dhe unë menjëherë sot do të kem një bisedë telefonike me ambasadorin Grenell. Ai, padyshim se është njeri serioz dhe ka besimin e presidentit Trump. Pra, do të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojë”, ka thënë Vuçiqi.
Emërimi i ambasadorit Grenell është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë bashkëpunimin me ShBA-në për Ballkanin Perëndimor.