Vuçiqi, Erdoganit në Beograd: Një mundësi e re për ta përmirësuar bashkëpunimin
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka mbërritur mbrëmjen e së enjtes në Beograd, për një vizitë dyditore në Serbi, nga Tirana, ku më parë ka biseduar me zyrtarë shqiptarë.
“Mirë se erdhe në Serbi, mik i dashur”, ka shkruar në Instagram presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili e ka pritur Erdoganin në aeroportin e Beogradit.
“Vizita juaj e kthimit është një mundësi tjetër për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë miqësor. Besoj se gjatë qëndrimit tuaj në Beograd, ne do të punojmë së bashku për të përmirësuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe politike midis vendeve tona”, shtoi Vuçiq.
Një pritje zyrtare do të mbahet të premten në mëngjes para Pallatit të Serbisë.
Krahas takimit të dy presidentëve do të mbahet edhe seanca e katërt e Këshillit të Lartë për Bashkëpunim Serbi-Turqi.
Pas kësaj, dy presidentët do të nënshkruajnë marrëveshjen dhe do të drejtohen para mediave.
Të dy presidentët do të marrin pjesë edhe në forumin e biznesit.
Në ditën e ardhjes së presidentit turk, Qeveria e Serbisë miratoi disa memorandume mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Turqisë në fusha të ndryshme.
Dokumentet e nënshkruara i referohen fushave të punës, punësimit dhe sigurimeve shoqërore, ekonomisë, industrisë dhe teknologjisë, tranzicionit energjetik, medias dhe informacionit, rinisë dhe sportit, menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave, njoftoi Qeveria.
Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi që nga viti 2017.
Përpara se të vinte në Beograd, Erdogan ishte në Shqipëri, ku premtoi se do t’i dhuronte atij vendi një numër “të konsiderueshëm” dronësh kamikazë.