Vuçiqi: Është e pamundur që Turqia të ndryshojë qëndrimin për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk beson në ndryshimin e qëndrimit të Turqisë mbi pavarësinë e Kosovës.
Siç kanë shkruar mediet serbe, ai këtë porosi e ka dhënë nga Ankaraja, ku homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan e ka pritur me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.
“Turqia është një fuqi e madhe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është e pamundur të ndryshohet ky qëndrim”, ka thënë Vuçiqi për mediet turke.
Gjithsesi ai ka shtuar se është i bindur se “Turqia dëshiron paqe dhe stabilitet në Ballkan, siç dëshiron Serbia”.
Kur është fjala për Kosovën, Vuçiqi ka thënë se nuk do të thotë se Turqia do të vendosë, se ky vend dëshiron të bëjë presion, por nuk ka dyshim se Turqia është një faktor i domosdoshëm dhe i rëndësishëm në të gjitha çështjet në Ballkan.
Më tutje, Vuçiqi ka thënë se do të shqyrtojnë arritjen e një niveli të caktuar të mirëkuptimit mbi çështjen e Kosovës, pasi është e pamundur plotësisht, pasi Turqia e ka njohur Kosovën.
“Por unë shpresoj se ne mund të arrijmë një shkallë të mirëkuptimit dhe në përputhje me marrëdhëniet tona dypalëshe miqësore, ne do të dimë se si për të gjetur interesat minimale të përbashkëta dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka hënë Vuçiqi.
Ndërsa në një intervistë për mediumin serb “Kurir”, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se ai nuk është i gatshëm ta dorëzojë Kosovën “në asnjë mënyrë”, por ai e di se cilado zgjidhje të jetë, kjo do të jetë fundi i tij në politikë dhe se serbët nuk do të jenë të kënaqur.
“Kur të marrim ofertën nga bota që do të jetë sado e vogël më e mirë sesa ka qenë, do të jetë një sukses. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi të pakënaqur. Sepse Kosovën të gjithë e mbajnë në zemrat e tyre”, ka thënë Vuçiqi.