Vuçiqi flet me krenari për vizitën në Moskë, do të takohet me Putinin

24 prill 2025 | 08:47

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Moskë më 9 maj, ku do të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores dhe do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. Vizita ndodh pikërisht në Ditën e Evropës.

Në një paraqitje në TV Pink, Vuçiqi tha se do ta përfaqësonte “me krenari Serbinë” në përkujtimin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Kam thënë tetë muaj më parë se do të shkoj në Moskë”, tha Vuçiqi.

Ai shtoi se ndoshta do të udhëtojë i vetëm në kryeqytetin e Rusisë dhe se për këtë “do të marrë të gjitha goditjet e botës, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”.

Ai njoftoi se do të diskutojë marrëveshjen e re të gazit me presidentin rus, si dhe të ardhmen e Industrisë Serbe të Naftës (NIS), e cila kërcënohet nga sanksionet amerikane për shkak të pronësisë ruse.

“Ne duhet të nënshkruajmë marrëveshjen e gazit deri më 30 maj. Ne duhet të zgjidhim çështjen e kompanisë së naftës. Ne duhet të diskutojmë gjithashtu të gjitha temat e tjera,” tha Vuçiqi.

Ai paralajmëroi edhe vizitën e Komisioneres për Zgjerim të BE-së Marta Kos në Beograd në fund të prillit dhe shprehu shpresën se para se të niset për në Moskë do të ketë mundësi të bisedojë me përfaqësuesit e Partisë Republikane dhe lidershipit amerikan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 goditi Stambollin pak…