Vuçiqi flet pas mbledhjes urgjente: Kërkojmë tërheqjen e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës

21 shtator 2021 | 12:49

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është drejtuar publikut serb pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd.

Siç kanë raportuar mediat serbe, Vuçiqi ka thënë se Serbia kërkon tërheqjen e të gjitha trupave që po qëndrojnë në veri të Kosovës si dhe një përgjigje urgjente nga BE-ja për situatën.

Vuçiqi ka thënë se ai e ka marrë një propozim për zgjidhjen e situatës në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak dje, por se e ka refuzuar atë propozim, duke e quajtur poshtërues për Serbinë.

Në fillim të fjalimit të tij para publikut, Vuçiqi ka folur për situatën në ushtrinë serbe, si dhe në Ministrinë e Brendshme. Kreu serb ka thënë se ndër tjerash është analizuar armatimi i ushtrisë dhe policisë.

Më tutje, Vuçiqi e ka quajtur aksion kriminal, pozicionimin e forcave speciale policore në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për ta mbikëqyr zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve.

“Diskutuam për situatën në Kosovë e Metohi, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri të Kosovës dhe Metohisë, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve të gjata dhe ngacmime të qytetarëve”.

“Ne kemi arritur në përfundime, Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë dhe Metohi. Deklaratat në të cilat ata na barazojnë dhe thonë se të dy vendet janë fajtore, janë të papërshtatshme”, ka thënë Vuçiqi.

Presidenti serb, ka thënë se dje mori një propozim për, siç ka thënë ai “zgjidhje kompromisi” për këtë çështje.

“Unë e refuzova sepse nuk është kompromis dhe sepse e kthen Serbinë prapa. Shkurt – është një zgjidhje që përmban 70 për qind  të asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin, në mënyrë që të harrohej kjo”.

“Unë thjesht refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit të përfunduar dhe sepse ju nuk mund ta bëni këtë”, ka thënë Vuçiqi.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi ka marrë pjesë ministrat Nebojsha Stefanoviq, Aleksandër Vulin, si dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe drejtori i BIA-s, Bratislav Gasiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-atleti gjakovar, Agron Muçaku, tashmë veteran, ishte një nga pjesëmarrësit…