Vuçiqi flet pas takimit me Pompeon: Negociatat me Kosovën në dhjetor
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se në rastin më të mirë negociatat me Prishtinën do të vazhdojnë në muajin dhjetor.
“Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu, por para kësaj, e rëndësishme është të bisedohet për heqjen e taksës”, ka thënë Vuçiq për mediet serbe.
Presidenti serb ka thënë se status quoja është e pamundur, dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç ka thënë ai, “një pushkë nëse shkrepet atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet”.
Deklaratat e Vuçiqit bëhen pas takimit që ka realizuar në Nju Jork me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Pas takimit të zhvilluar të martën në mbrëmje, Vuçiq tha se ka kërkuar nga sekretari amerikan, që SHBA-ja të shtojë presion ndaj Kosovës për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.