Vuçiqi: Gjithçka pos njohjes ‘de facto’ e ‘de jure’ të Kosovës, Kurtin po e mbështesin disa politikanë nga Britania e Gjermania
Gjithçka tjetër përpos njohjes ‘de facto’ dhe ‘de jure’ të Kosovës. Ky është qëndrimi i presidentit serb, Aleksnadar Vuçiq pas bisedimeve në Bruksel me liderët kryesorë të Bashkimit Evropian.
“Duruam dhe do të durojmë”, tha Vuçiq sot në TV Prva.
“Jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që lidhet me marrëveshjet e arritura për Kosovën, përveç njohjes ‘de facto’ dhe ‘de jure’”, tha ai.
Vuçiq tha se “nuk mund ta pranojmë pavarësinë e Kosovës”, duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përdor “truke të ndryshme” në këtë drejtim.
“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin”, tha Vuçiq, duke shtuar se disa politikanë nga Gjermania dhe Britania e Madhe e mbështesin kryeministrin e Kosovës, por sipas tij, edhe qarqe serioze politike nga Gjermania tani kërkojnë formimin intensiv të Asociacionit.