Vuçiqi i telefonon Erdoganit, e informon për qëndrimet e Beogradit para takimit të Brukselit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan, të cilin e ka njoftuar për qëndrimet e Beogradit zyrtar para vazhdimit të dialogut me Kosovën gjatë ditës së nesërme (e hënë) në Bruksel.
Siç ka njoftuar zyra e presidentit serb, gjatë kësaj bisede ,Vuçiqi dhe Erdogani kanë rënë dakord se gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor.
Të hënën, Brukseli do t’i përballë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ata fillimisht do të priten në takime të ndara nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell për të vazhduar më pas me takimin trepalësh.
Plani evropian do të diskutohet në këtë takim që mbahet në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.