Vuçiqi kërkon nga Greqia të mos e njohë Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë.
Dy liderët janë takuanr në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka bërë me dije shërbimi për medie i Presidencës serbe.
Sipas komunikatës së lëshuar të martën, Vuçiqi ka thënë se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Vuçiqi ka deklaruar se e ka falënderuar Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
Në komunikatë është thënë se Vuçiqi e ka njoftuar kryeministrin grek edhe me, siç është shprehur, problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t’iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia.
Ndërsa kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se Greqia e mbështet dialogun me Kosovën, por ka konsideruar se “veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në të”.
Mitsotakisi ka thënë se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur është në pyetje njohja e Kosovës.
Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Javë më parë, presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, ka thënë se do të diskutojë me zyrtarët kushtetues mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. /Rel/