Vuçiqi: Kurti s’është as Hegeli dhe as Ajnshtajni, shqetësohemi për presionin e Gjermanisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se Gjermania është fuqia më e madhe në Evropë, se ajo ka agjendën e saj dhe se mosmarrëveshja e vetme midis Serbisë dhe Gjermanisë ka të bëjë me Kosovën.
Ai ka thënë se nuk shqetësohet për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por për presionin që do t’i vihet Serbisë nga fuqitë perëndimore.
Vuçiqi ka thënë mbrëmë në “TV Happy” se Gjermania ka politikën e saj dhe kujtoi se ata janë kundër ndryshimit të kufijve.
“Ata nuk i lënë aleatët e tyre, kështu që ata ishin të parët që ndihmuan kroatët në vitet 1990, serbët nuk ishin aleatët e tyre. Ne duhet ta ndryshojmë atë dhe të bëhemi aleatët e tyre. Nuk do të jetë e lehtë. Por ne duhet të bëhemi aleatë si të amerikanëve ashtu edhe të gjermanëve”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka thënë se ka vetëm fjalë të mira për kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Më tutje, Vuçiqi ka thënë se kulmi i presionit mbi Serbinë pritet në tetor dhe nëntor, kur zgjedhjet do të mbahen në Gjermani.
“Ne jemi më të shqetësuar për periudhën tetor-mars. Këto janë përgatitjet sot. Ata po tërheqin atë që po bëjnë dhe ne duhet të përgatitemi”, ka thënë Vuçiqi.
Duke folur për “non-paper”-at, ai ka thënë se Kosova është e pavarur në secilën prej tyre. I pyetur nëse është e mundur të bisedohet me kryeministrin dhe presidenten e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, Vuçiqi ka thënë se me të gjithë mund të bisedohet, por është çështje tjetër nëse do të arrihet diçka.
Duke komentuar dialogun e ardhshëm dhe faktin që Kurti ka theksuar se nuk është prioritet për të, Vuçiqi ka thënë se Kurti do të ulet në tryezë dhe do ta bëjë punën e tij.
“Kurti nuk është as Hegel, as Ajnshtajn, as Spinoza apo Leibniz për ta komentuar aq shumë. Ai do të vijë ta bëjë punën e tij, për të thënë se serbët janë kriminelë, horra dhe se ai dëshiron njohjen… Unë do të vij të them se çfarë është politika jonë dhe kaq”, ka thënë Vuçiqi.