Vuçiqi kushtëzon vazhdimin e dialogut
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë zyrtarëve të lartë të BE-së, se Serbia është e angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, mirëpo e vetmja mënyrë për të vazhduar dialogun me Prishtinën është nëse tërhiqet tarifa prej 100 përqindësh ndaj mallrave serbe.
“Serbia është e angazhuar për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe e vendosur për të kontribuar në këtë drejtim. Një parakusht për zbatimin e suksesshëm dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal është respektimin rigoroz i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara të dakorduara nga të gjithë pjesëmarrësit në rajon. E vetmja mënyrë për të krijuar kushtet në të cilat vazhdimi i bisedimeve do të ishte i mundur është që Prishtina të tërhiqej nga vendime të paligjshme dhe krejtësisht të paarsyeshme”, ka thënë presidenti Vuçiq pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Vuçiqi me ftesë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, po qëndron në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku është i pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
/Epoka e re/