Vuçiqi: Me Putinin do të diskutojmë edhe për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sa i përket atij, afera e spiunazhit me Rusinë është çështje e mbyllur pas bisedës me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Bocan Harchenko.
“Ndërgjegjja jonë është e pastër dhe jam i bindur se ne do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet më të mira. Nëse rusët kanë ndonjë gjë për të na fajësuar, unë do të doja ta dëgjoja atë”, tha Vuçiq në Soçi të Rusisë, ku të mërkurën do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.
Më 21 nëntor presidenti Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombetare kishte konfirmuar se Serbia në disa raste ka konstatuar dhe dokumentuar përmes fotografive, video-incizimeve dhe regjistrimeve audio, kontaktet e nënkolonelit, Georgy Kleban, pjesëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake ruse (GRU) dhe anëtarëve të Ushtrisë së Serbisë.
“Kemi fakte edhe për disa pjesëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë dhe nëntë pjesëtarë të forcave tona ushtarake”, kishte deklaruar Vuçiq.
Sipas agjencisë Beta, Vuçiq tha se Serbia “gjithmonë do të mbrojë pavarësinë e saj” por se beson në miqësinë me Rusinë.
Vuçiq ka thënë se temat e bisedimeve me Putinin do të jenë Kosova, çështjet rajonale por edhe situata politike në Evropë dhe në botë, si dhe bashkëpunimi dypalësh pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Serbisë dhe Bashkimit Ekonomik Euro-azi.