Vuçiqi me Putinin: Nuk jam optimist për kompromis me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të mërkurën se nuk është optimist për arritjen e një kompromisi midis Beogradit e Prishtinës, që do të sillte, siç ka thënë ai, zgjidhje përfundimtare për Kosovën.
Vuçiqi këto komente i ka bërë në Soçi të Rusisë, pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai e ka falënderuar Putinin edhe për, siç ka thënë “qëndrimin parimor të Rusisë ndaj Kosovës”.
Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Dy presidentët u janë drejtuar medieve, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit Serbi-Rusi në sferat ekonomike, politike dhe mbrojtëse.
“Marrëdhëniet tona po zhvillohen shumë pozitivisht. Partneritetin tonë strategjik e konfirmon puna jonë e përditshme”, ka thënë Putini.
Vuçiqi, në anën tjetër, ka thënë se Serbia ka përfunduar pothuajse ndërtimin e pjesës së saj të tubacionit, që do të bartë gazin natyror rus nën Detin e Zi, duke anashkaluar Ukrainën.
Projekti i tubacionit rrjedha turke “paraqet një investim të madh dhe një mundësi të madhe për zhvillimin e vendit tonë”, ka thënë Vuçiqi.
Faza e parë e tubacionit, për të furnizuar Turqinë së pari, pritet të hyjë në funksion deri në fund të vitit, me një kapacitet prej 15,75 miliardësh metra kub.
Takimi në Soçi vjen pasi shërbimet e inteligjencës në Beograd njoftuan muajin e kaluar se kanë zbuluar një operacion spiunimi midis agjentëve rusë dhe zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ushtrisë serbe.
Por, Vuçiqi është zotuar se ky zbulim nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet “vëllazërore dhe miqësore” të Serbisë me Rusinë.
Takimi i Soçit është i treti midis presidentëve të Rusisë dhe Serbisë këtë vit dhe i shtatëmbëdhjeti në përgjithësi, ka njoftuar Presidenca e Serbisë.