Vuçiqi: Mora informacione zyrtare, i lutemi Greqisë mos ta njohë Kosovën

27 maj 2021 | 16:15

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të enjten se ka marrë një njoftim zyrtar se Greqia synon t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Ai ka thënë se beson në miqësinë e Beogradit me Athinën dhe se Greqia nuk do të shkojë një hap më tej për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një deklaratë për medie pas takimit me patriarkun dhe peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe, anëtarët e Këshillit të Ipeshkvijve, Vuçiqi ka thënë se kur Kosova kishte vendosur taksë për mallrat serbe, Greqia i ka dhënë mundësinë për të hapur zyra tregtare, dhe tani ky raport ka shkuar në një nivel më të lartë, raporton “Tanjug”-u.

“Të premten, ne u informuam zyrtarisht se Greqia do të përmirësonte marrëdhëniet e saj me Prishtinën në një nivel më të lartë, drejtorë politikë, i cili është personi më i lartë i mundshëm në nivelin e një ministri”, ka thënë ai.

Vuçiqi ka thënë se do t’i lutet Greqisë të mos e lejojë atë të ndodhë, sepse sipas tij hapi tjetër do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, ky është një problem sepse tregon se jo vetëm Evropa mund të bashkohet kundër Serbisë për çështjen e Kosovës.

Ai ka thënë se ekziston një rrezik shtesë që vendeve të tjera t’u bëhet presion për ta bërë të njëjtën gjë.

Më tutje, ka thënë ai, do të arriheshin marrëveshje bilaterale, ku një vend i tretë do ta përfaqësonte Kosovën në organizatat ndërkombëtare, dhe kështu të bëhej pjesë e NATO-s.

“Situata është shumë e vështirë për ne. Ne e ftuam ambasadorin grek për një bisedë, por nuk morëm asgjë, sepse kemi besim në miqësi dhe shpresojmë që ajo të mos shkojë në masa dhe afrime të mëtejshme”,  ka thënë Vuçiqi.

I pyetur nëse ka marrë garanci se Greqia nuk do ta njohë Kosovën, ai ka thënë se ka marrë garanci të tilla çdo ditë, por  sipas tij faktet tregojnë se ata po e rrisin nivelin e marrëdhënieve të tyre me Kosovën.

“Në periudhën e ardhshme, unë pres më shumë vizita në Beograd dhe gjithçka që do të funksionojë do të jetë presion. Do të ketë gjithashtu përpjekje për ta siguruar pavarësinë e Kosovës përmes iniciativave rajonale. Ajo do të ofrojë disa zgjidhje që duken të mira në shikim të parë, por prapa kësaj është njohja ‘de facto’”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiqi ka  thënë se Serbia është duke u përballur me një periudhë shumë të vështirë politike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar dy…