Vuçiqi pas takimit me delegacionin amerikan: ShBA-ja, partnere e rëndësishme e Serbisë

31 tetor 2022 | 15:49

Një delegacion ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) është takuar të hënën me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Siç ka njoftuar zyra e Vuçiqit, në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të disa prej korporatave më të mëdha botërore amerikane.

Vuçiqi ka folur për një partneritet strategjik biznesi me ShBA-në. Sipas kësaj zyre, kjo e bën Serbinë “një ekonomi të qëndrueshme dhe partner të dëshirueshëm biznesi”.

Delegacionin amerikan e ka kryesuar David De Falco, ndihmëssekretar në Departamentin e Tregtisë së ShBA-së për Evropën dhe Evroazinë.

“Shumë kompani amerikane që operojnë me sukses në Serbi për një kohë të gjatë dhe punësojnë 30,000 njerëz tanë janë një tregues i jashtëzakonshëm i stabilitetit të ekonomisë dhe mjedisit tonë të biznesit, të cilin ne kemi arritur ta krijojmë me një qasje serioze dhe sistematike në të gjitha nivelet”, citohet të ketë thënë Vuçiq, duke shtuar se vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti, tregtia totale ndërmjet Serbisë dhe ShBA-së ka arritur në 854.6 milionë dollarë, që paraqet një rritje prej 45.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vuçiqi ka  përmendur korporatat si CISCO, DELL, IBM, ORACLE, si dhe “kompani të tjera me reputacion global”, duke folur për sukses në sektorin e ekonomisë.

Sipas komunikatës së lëshuar pas takimit, përfaqësuesit e kompanive amerikane dhe Vuçiqi është pajtuar që sa më shpejt të nis konkretizimi i bashkëpunimit “në shumë fusha” dhe të “intensifikohen takimet ndërmjet biznesmenëve të Serbisë dhe ShBA-së”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ali Sadiku shpall te pavlefshme dëftesat e klasës 10/11 e…