Vuçiqi: Për ndërkombëtarët, Kosova është e pavarur dhe nuk ndahet
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur sot rreth gjetjes së një zgjidhje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për “Tv Pink”, Vuçiqi ka përmendur edhe idenë e shumëpërfolur të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.
Megjithatë, Vuçiqi ka thënë se shumë njerëz kanë dalë kundër një ideje të tillë, por ka thënë se askush nuk ofron një ndarje të Kosovës.
“Është e lehtë për njerëzit që të thonë se jemi kundër korrigjimit dhe ndarjes. Dhe unë i pyes ata se kush na ka ofruar një gjë të tillë. Fatkeqësisht, askush s’na ka ofruar një gjë të tillë, sepse sipas tyre (ndërkombëtarëve), Kosova është e kompletuar dhe e pavarur. Pikë!”, ka thënë Vuçiqi.
Deklarata të tilla, Vuçiqi ka bërë edhe pas takimit që ka pasur me përfaqësuesin special të presidentit të SHBA-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Pas atij takimi madje siç kishin treguar bashkëpunëtorët e afërt, Vuçiq kishte mbajtur shënime personalisht nga ai takim, dhe më pas nuk kishte folur me stafin e tij për minuta me radhë.