Vuçiqi po kërkon ta formojë asociacionin para zgjedhjeve
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon që të krijojë Asociacionin e komunave serbe në Kosovë para zgjedhjeve qendrore që pritet të mbahen në prill të vitit 2022 në Serbi.
Ai ka komentuar aksionin e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, duke thënë se rritja e tensioneve erdhi nga ana e Serbisë dhe atë me një qëllim.
Ai po ashtu ka thënë se gjendja në veri po shfrytëzohet nga VV-ja për qëllime elektorale të brenshme në Kosovë, pasi zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.
“Qeveria Kurti po e shfrytëzon mirë për fushatë elektorale, por edhe partitë e tjera i kanë dhënë mbështetje kësaj çështje në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave sepse është një marrëveshje e nënshkruar disa vjet më parë”.
“Me SHBA-të nuk mund të mos ketë dakordim. Unë me aq sa kam informata ai [Albin Kurti] ka kontakte, e kanë takuar dhe e takojnë vazhdimisht sepse është kryeministër i vendit. Ndoshta për ta goditur politikisht mund të thonë që ka përplasje, por këto përplasje do të kisha shumë dëshirë me i dëgju prej amerikanëve”.
Haliti ka shtuar se cdo aksion në veri të vendit duhet të bëhet në konsultim të plotë me amerikanët.
“Duhet të dihet që kushdo që përplaset me amerikanët përplaset me interesat e popullit shqiptar, jo veç në Kosovë po kudo që janë. Kundër interesave të popullit shqiptar nuk guxon askush të veprojë, as Albini dhe as askush tjetër, veçanërisht kur janë në pyetje SHBA-të”.