Vuçiqi: Pozicioni i Serbisë për Kosovën mbetet i pandryshuar edhe pas 4 shtatorit
Pozicioni i Serbisë në çështjen e Kosovës, nuk ka ndryshuar as edhe nga nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në Uashington.
Kështu ka deklaruar së fundi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Sa i përket pozicionit të Serbisë, ai ka mbetur i pandryshuar”, i është përgjigjur Vuçiqi pyetjes së një gazetari të medieve ruse.
Vuçiqi ka theksuar se marrëveshja e 4 shtatorit ka të bëjë vetëm me normalizimin ekonomik me Kosovën.
“Nuk ka asnjë moment politik atje”, ka thënë Vuçiqi.
Më tutje, Vuçiqi ka theksuar se nuk ishte optimist, veçanërisht sa i përket zgjidhjes së çështjeve politike.
“Është e qartë se po përballemi me një kërkim shumë të gjatë, të vështirë, unë do të thosha, edhe të dhimbshëm për një kompromis, nëse kjo është e mundur fare”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se Serbia nuk e ka nënshkruar dokumentin në të cilin përmendet njohja e Kosovës nga Izraeli.
“Ky është ndryshimi midis versioneve serbe dhe shqipe të dokumenteve që u nënshkruan. Ne nuk e nënshkruam dokumentin trepalësh”, ka thënë presidenti serb.