Vuçiqi pretendon se Atiqi ‘hoqi dorë’ nga ultimatumi për lirimin e objektit nga strukturat paralele
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pretenduar se “është hequr dorë” nga vendimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut nga Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq, për “ultimatumin” e dytë me radhë ndaj strukturave paralele serbe për të liruar objektin nga ku operojnë në “Mahallën e Boshnjakëve”.
Para gazetarëve, Vuçiqi është shprehur se “për shkak të presionit” nga bashkësia ndërkombëtare, “Prishtina u desh të heq dorë nga marrja e objekteve serbe” dhe se “një gjë të tillë do të provojnë ta bëjnë pas datës 14 shtator kur të zhvillohet takimi në kuadër të dialogut”.
“Prishtina u përpoq t’i zbatonte qëllimet e saj me marifete, por përsëri u vunë nën presion nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe u detyruan të dorëzoheshin”, ka thënë Vuçiqi raporton mediumi serb, “KoSSeV”.