Vuçiqi pretendon se djali i tij “s’ka lidhje” me sulmin terrorist në Banjskë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, ka mohuar se djali i tij, Danillo Vuçiç, mund të jetë përfshirë në sulmin terrorist në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës ndaj organeve të rendit më 24 shtator.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Millorad Jevtiçit, i cili, sipas autoriteteve kosovare, është bashkëpunëtor i afërt i Danillos, djalit të presidentit serb.
Vuçiçi ka pretenduar se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjë, duke shtuar se “ai e do Serbinë dhe Kosovën si pjesë të saj, në vijë me Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB)”. Gjithashtu, presidenti serb ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar “frikacak” e “terrorist” dhe se gjoja po “shënjestëron familjen e tij”.
“Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, ka shkruar Vuçiçi të dielën pas njoftimit të Sveçlës, i cili, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuciçit në Kosovë, katër herë kanë qenë bashkë në të njejtën veturë.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur, ku përveç dëshmive që grupi terrorist në krye me gangsterin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Millan Radoiçiç, ka kryer stërvitje në Serbi, në mesin e provave janë edhe formularë të lëshuar nga ushtria serbe për armët që i janë dhënë në shfrytëzim kësaj bande kriminale për sulmin e organizuar ndaj Kosovës.
Vlen të theksohet se “Vuçiç Junior” është personazh shumë i përfolur në Serbi. Mediat atje kanë raportuar për përfshirjen e tij në disa aktivitete kriminale dhe pjesëmarrjen e tij në grupe mafioze në Beograd, kryesisht ato të ultra-tifozerive të klubeve të futbollit. Ai shpesh merr pjesë në ngjarje nacionaliste të organizuara nga serbët në rajon.