Vuçiqi s’do që Izraeli ta njohë Kosovën, planifikon të flasë me Netanyahun

10 shtator 2020 | 14:31

Serbia nuk dëshiron që Izraeli ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Për këtë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq planifikon që nesër (e premte) të kontaktojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu përmes telefonit, pak ditë pasi Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, shkruan të enjten “Jerusalem Post”.

Në marrëveshje ishte paraparë që Serbia duhet të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem e Kosova duhet të hapë një të tillë po aty, pasi menjëherë pas marrëveshjes kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e kryeministrit izraelit u pajtuan për njohje reciproke, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas këtij mediumi, Vuçiqi do ta kishte të vështirë t’ua pranonte votuesve të vet se po bëhet shteti i parë evropian që çon ambasadën në Jerusalem, siç parashihte marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, përderisa Izraeli bën diçka që Serbia e konsideron të papranueshme: njohjen e Kosovës si shtet.

Burimet nga Serbia kanë thënë për “Jerusalem Post” se Izraeli mund të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën “nën një prag të caktuar”.

Në fjalë të tjera, situata, sipas dëshirave të Serbisë, duhet të jetë e ngjashme me Izrael – Tajvan, aty ku Izraeli ka një konsullatë dhe lidhje tjera diplomatike, por jo një ambasadë apo njohje zyrtare të pavarësisë.

“Nëse Izraeli njeh Kosovën, Serbia prapëseprapë mund të hapë ambasadën në Jerusalem, por lidhjet me Beogradin do të degradoheshin ndjeshëm”, është thënë në raportim.

Në këtë shkrim, “Jerusalem Post” ka shkruar edhe për videon që është bërë virale nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington. Aty presidenti amerikan, Donald Trump, ka treguar se Serbia do të zhvendosë ambasadën në Izrael nga Tel Avivi për në Jerusalem deri në korrik.

Pas deklarimit të presidentit Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë ku po nënshkruhej marrëveshja e normalizimit ekonomik në mes të Kosovës e Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, filloi të shfletonte fletët dhe të shikonte anash.

Dukej se nuk ishte komod për faktin se ishte përmendur zhvendosja e ambasadës në Jerusalem. Ishte çështja e hapjes së ambasadës në korrik që e shqetësonte. Planet e Serbisë nuk ishin të tilla.

Burimet e afërta me Vuçiqin kanë përmendur të enjten se presidenti serb kishte lajmëruar në mars për hapjen e një zyre tregtare në Jerusalem, që ishte hapi i parë drejt lëvizjes së ambasadës atje.

Sipas shkrimit, hapja e ambasadës aty s’është problemi, por ai qëndron vetëm te njohja që Izraeli është pajtuar t’ia bëjë Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar…