Vuçiqi, serbëve të Kosovës: Keni durim edhe 45 ditë
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët sot në Beograd janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë kërkuar nga ai që të mbështesë vendimin për të braktisur të gjitha institucionet e Kosovës në të cilat ata punojnë.
Këtë kërkesë e ka konfirmuar presidenti Vuçiqi gjatë një konference për medie pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut dhe jugut të Kosovës.
“Braktisja e parlamentit dhe gjitha institucioneve lokale ku janë zgjedhur në bazë të ligjeve të Kosovës, braktisja e policisë rajonale në veri, prokurorisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Vuçiq, duke dhënë detaje për kërkesën e 150 përfaqësuesve të serbëve të Kosovës të cilët ishin në këtë takim.
Megjithatë, presidenti serb ka thënë se i ka lutur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të kenë durim edhe 45 ditë deri në takimin e tij të planifikuar me presidentin e Kinës Xi Jinping, në fund të prillit në Pekin, në kuadër të samitit “Rruga e Mëndafshit”.
Ai ka thënë se deri atëherë, për rrethanat e reja, do të diskutojë edhe me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, edhe njëherë iu bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në Ushtrinë e Kosovës sepse, siç ka thënë, “ajo shërben vetëm për sulme ndaj serbëve”. Ndërkaq, atyre që janë bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës iu bëri thirrje të largohen nga ajo.
Presidenti Vuçiq sikurse drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka komentuar sërish emërimin e Dijana Zhiviq si ministre e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës.
Ata e kanë quajtur atë “ministre private” e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. /Rel/