Vuçiqi: Serbia do të përballet me ultimatum për Kosovën gjatë këtij viti
24 shkurt 2020
| 10:40
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i tha të dielën televizionit proqeveritar “Prva”, se deri në fund të vitit Serbia do të marrë një ofertë të cilën nuk do të jetë në gjendje ta pranojë, por nuk do të guxojë ta refuzojë.
“Do të provojnë të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian por me kusht që ta njohim Kosovën dhe do të ofrojnë status të posaçëm për serbët në fusha të caktuara”, ka thënë presidenti serb, duke theksuar se për këtë do të pyes pastaj qytetarët e Serbisë.
Ai ka pohuar se tri vjet më parë kishte hedhur idenë e tij për këtë çështje por nuk ishte pranuar nga serbët, duke iu referuar idesë së tij për “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.