Vuçiqi sot në Tiranë

20 dhjetor 2021 | 11:14

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Takimi i fundit i nismës së “Ballkanit të hapur” u mbajt në Beograd, ku mbi të gjitha u diskutua për lehtësimin e procedurave doganore, që “produktet të mos prishen duke pritur disa ditë në kufi”.

“I gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur. Produktet nuk mund të rrinë me ditë në kufi, kjo shton koston në mënyrë marramendëse, ndërkohë që ndikon negativisht te produktet. Nuk mund të shkosh në kufi të premten dhe të presësh deri të hënën për të kaluar qumështin, kur ai është bërë kos. Apo për të pritur tre javë konfirmimin nga agjencitë e vendeve të tjera që të marrin produktin. Rezultatet do të paraqiten në Tiranë, në takimin e radhës në dhjetor dhe do të jenë përfitime për gjashtë vendet e rajonit, jo tre. Nga janari, në kufi fillon një relaksim, do të jetë shumë i lehtë kalimi i mallrave dhe kjo do të ndikojë në rritje ekonomike”, pati deklaruar kryeministri Rama më 4 nëntor.

Ndërkohë, po sot, ish-kryeminstri Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është kërcënim për interesat e vendit tonë.

Sipas tij, “Ballkani i hapur” është një projekt serbo rus dhe Rama ka mbështetur Vuçiqin, në çështjen me Kosovë, pasi “ky projekt ka një qëllim, ndarjen e Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vlera e monedhës turke, lira ra për 5 për qind…