Vuçiqi, takim urgjent me ministrat pas heqjes së dinarit në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të qeverisë serbe të martën në mbrëmje për të rënë dakord për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Beogradi në rast se Kosova e shfuqizon dinarin nga 1 shkurti, njoftoi Politika në faqen e saj të internetit.
“Politika”, duke iu referuar informacioneve jozyrtare, shkruan se takimi ka ndodhur për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar propozimin e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të Quintit dhe se nga e enjtja, më 1 shkurt, është ndalimi i përdorimit të dinarëve.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë të martën se ka folur me Kurtin për vendimin e Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarëve në pagesa me para në dorë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Pak javë më parë, Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerrë një dekret që kërkon që nga 1 shkurti, të gjitha pagesat me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm në euro.
I pyetur nëse ka folur me Kurtin për shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, Lajçak u tha gazetarëve: “E kemi përmendur këtë çështje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por do të njoftoheni (për këtë) sot”, tha ai.