Vuçiqi takohet me emisarin e BE-së: Lajçaku e di që do të vazhdojmë të luftojmë për popullin tonë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është takuar me emisarin për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Bosnje e Hercegovinë.
Vuçiqi përmes një shkrimi në “Instagram”, ka thënë se biseda me Lajçakun ishte “e hapur”.
“Një tjetër bisedë e hapur dhe konkrete me Miroslav Lajçak për sfidat në rritje para nesh, pozicionin e popullit serb, ngjarjet në Kosovë dhe hapësirën që po zvogëlohet për zgjidhjen e çështjeve të hapura përmes dialogun konstruktiv dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Vuçiqi ka pretenduar se brenda takimit ka ripërsëritur që “Serbia vazhdon të ketë një politikë të përgjegjshme dhe serioze për paqe dhe stabilitet”.
“Si partneri ynë për një kohë të gjatë, Lajçak e di që Serbia do të vazhdojë të luftojë gjithmonë dhe në çdo vend për popullin e saj, shtetin dhe të vërtetën…”, ka shkruar Vuçiqi.