Vuçiqi takon pesëshen diplomatike: Ishte takim i vështirë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot është takuar me pesëshen diplomatike të përbërë nga diplomatë evropianë dhe amerikanë.
Vuçiq ka thënë se takimi ishte i vështirë dhe pret takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim, shkruan teve1.info
“Takimi i vështirë me pesëshen. Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, ka shkruar Vuçiq.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimit të sotëm me diplomatët perëndimor, u ka theksuar atyre se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjskë.
Njëherit, Kurti ka falënderuar pesëshen evropiane për planin e tyre të ri për ecjen përpara, teksa ka theksuar që diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht
“Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në komunikatë.
Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, ishin sot paradite në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me Kurtin. Ata kanë thënë se kanë ardhur me një plan, të cilin do t’ia prezantojnë edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Po ashtu, ai ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt.