Vuçiqi tërheq shefin e misionit serb në OKB
Me dekret të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është tërhequr nga puna shefi i misionit serb në Kombet e Bashkuara, Nemanja Stevanoviq.
Dekreti për tërheqjen nga posti i ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë – përfaqësues i përhershëm i Republikës së Serbisë – shefi i Misionit të Përhershëm të Republikës së Serbisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Nemanja Stevanoviq, është publikuar më 23 tetor në Gazeta Zyrtare.
Është interesante se po atë ditë Borko Stefanoviq, nënkryetar i Partisë Liri dhe Drejtësi, në seancën e mbyllur të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ku Ministri i Punëve të Jashtme Marko Gjuriq ka dorëzuar raportin e punës, ka shtruar edhe një pyetje lidhur me Nemanja Stevanoviq.
Nemanja Stevanoviq tërhoqi vëmendjen e publikut dy vjet më parë kur shpjegoi votën “pro” të Serbisë për rezolutën që dënon “agresionin rus” në një seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në lidhje me situatën në Ukrainë në anglisht shumë të dobët.
Para se të anëtarësohej në OKB, Stevanoviq ishte Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë nga dhjetori 2016 deri në tetor 2020, ndërsa Ivica Daçiq ishte në krye të asaj ministrie. Më parë, Stevanoviq ka shërbyer si këshilltar special i kryeministrit, nga qershori i vitit 2014 deri në dhjetor 2016, gjegjësisht ka këshilluar Aleksandër Vuçiqin si kryeministër.