Vuçiqi thërret urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur urgjentisht mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare.
Mbledhja është caktuar për nesër, kanë bërë me dije mediet serbe. Nuk dihet se cila është arsyeja e kësaj mbledhje, por sigurisht ka të bëjë me zhvillimet e sotme në veri të Kosovës
Ndërkohë, Forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, janë nisur drejt veriut të Kosovës me qëllim të arrestojnë Marko Gjuriqin, shkruajnë mediet serbe.
Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për të hyrë në territorin e shtetit të ashtuquajturin shef i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq dhe sipas medieve serbe edhe një zyrtari tjetër të Presidencës së Serbisë, Nikola Selakoviq.
Ata planifikonin të shkonin drejt Mitrovicës të hënën, ku sipas medieve serbe planifikonin të merrnin pjesë në diskutimet në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën.
Të premten, Marko Gjuriq kishte thënë se “shqiptarët nuk mund të më ndalin t’i drejtohem popullit tim”.