Vuçiqi thotë: Nuk kam në plan të nënshkruaj asgjë në Ohër
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten vonë se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Beograd, në prag të takimit më 18 mars ku do të diskutohet për udhërrëfyesin e zbatimit të një plani të ofruar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton VOA.
“Kur dikush të nënshkruajë diçka, unë do ta bëj, për këtë vendosin qytetarët por nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë”, tha presidenti serb, duke mohuar të ketë marrë ndonjë projekt të udhërrëfyesit nga Bashkimi Evropian.
“Kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin dhe ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli. Nuk ka nevojë të alarmohet publiku. Kur të ketë, do të informoj publikun dhe do të vë në dukje të këqijat, ose të mirat, nëse ka të mira në diçka që është e vështirë për ne”, tha presidenti Vuçiq.
Presidenti serb tha se takimi i Ohrit nuk do të jetë ‘ditë e gjykimit’ duke nënvizuar se do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për Serbinë.
“Ditët e kaluara kam diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, e them normalizim me qëllim, dhe kur them normalizim, nuk është eufemizëm për njohjen e Kosovës, de fakto apo de jure. Për mua, normalizimi do të thotë të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët se sa sot, të zgjidhim problemet e panumërta që kemi dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo – atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha ai, duke nënvizuar se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Presidenti serb tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm për Serbinë, meqë ofron siguri dhe mbështetje për serbët e Kosovës.
“Nëse shqiptarët pranojnë ta formojnë Asociacionin, do të ketë gjëra që nuk janë të lehta për ne dhe nuk do ta fsheh asnjërën para qytetarëve. Por, rezultati për vendin tonë do të jetë i mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha presidenti serb.
Prishtina e cila është gjetur nën trysni ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit heziton ta bëjë këtë duke përmendur shqetësimin se ai mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.
Diplomatët perëndimorë e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë duke theksuar se themelimi i Asociacionit është detyrim ligjor ndërkombëtar i Kosovës.