Vuçiqi thotë se Merkeli ka kërkuar kompromis në mes të Kosovës dhe Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është takuar të mërkurën me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku temë e bisedës ka qenë arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Siç raportojnë mediat serbe, presidenti Vuçiqi, pas takimit me kancelaren gjermane, ka konfirmuar se gjatë takimit më së shumti është biseduar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Takimi me Angela Merkel kaloi mirë, kurse më së shumti kemi biseduar për dialogun mese Beogradit dhe Prishtinës. Nuk ka asnjë dyshim se Gjermania është vendi që kundërshton rrënimin e marrëdhënieve normale ekonomike, prandaj më së tepërmi kemi biseduar për taksën dhe vazhdimin e dialogut”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka thënë se “kancelarja gjermane sot disa herë ia ka përsëritur qëndrimin se përmes kompromisit arrihet deri te rezultati i mirë dhe se palët duhet të angazhohen për kompromis, e jo duke përulur dhe shkatërruar kundërshtarin”.
“Nëse do ta kuptojmë ose jo këtë ne në Serbi, kjo është një çështje tjetër”, është shprehur Vuçiqi.