Vuçiqi thotë se nuk do të ketë takim në Paris
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është takuar në Berlin me një delegacion të Prishtinës, për t’u përgatitur për takimin në Paris, por takim atje nuk do të ketë.
Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”.
Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Minsk, ku po qëndron për vizitë zyrtare, se ai e ka dërguar Gjuriqin në atë takim dhe se kjo nuk është sekret.
“Nuk ka asnjë sekret, është përgatitje për takimin në Paris. Marko Gjuriqin e kam dërguar atje (në Berlin) dhe kam thënë se Serbia do të jetë konstruktive dhe se duam vazhdimin e dialogut dhe heqjen e taksës. Por, shqiptarëve kjo nuk u bie në mend dhe nuk ka rezultate”, ka thënë Vuçiqi.
Qeveria e Kosovës deri më tash nuk e ka konfirmuar takimin në Berlin, të cilit i është referuar Vuçiqi.
Vuçiqi ka thënë se edhe gjermanët dhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron dialog dhe kush e frenon atë dhe “kush dëshiron që në vend të Evropës, dikush tjetër të merret me dialog”.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, është ndërprerë në fund të vitit të kaluar, për shkak të taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.
Vuçiqi këmbëngul se dialogu nuk do të vazhdojë pa heqjen e taksës.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën edhe pse thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara.
Më 1 korrik në Paris është paralajmëruar mbajtja e një takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.