Vuçiqi thotë se thirrjet për luftë janë trillime të politikanëve nga Kosova
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka cilësuar si “trillime” vlerësimin e politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria se ai “bëri thirrje për luftë” kur ka thënë se shembulli i Nagorno-Karabakhut tregon pse është e rrezikshme të mbash një konflikt të ngrirë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai theksoi se politikanët shqiptarë kanë “problemet e tyre të brendshme” për shkak të të cilave, sipas tij, “ata duhet të shpikin”, raporton “Danas”.
“Unë fola për nevojën për të shmangur një politikë të konfliktit të ngrirë, në mënyrë që mbajtja e këtij konflikti do të nënkuptojë se dikush në të ardhmen mund të na çojë në katastrofë. Ata e kuptuan mirë atë që thashë, ata thjesht duhet të përcjellin diçka në një mënyrë tjetër sepse ata kanë arsyet e tyre”, ka thënë Vuçiqi.
Sipas Vuçiqit politika e vendit të tij është ta ruajë paqen.