Vuçiqi vendos kushte: Kosova e themelon asociacionin, Serbia do të përmbushë pjesën e saj të punës

19 prill 2023 | 14:39

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të mërkurën se nuk ka lojë për asociacionin dhe se Serbia do ta mbajë fjalën dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës kur Kosova ta përmbushë obligimin e saj.

Vuçiqi në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, ka thënë se tani shpesh thuhet se është e rëndësishme të fillohet procesi i formimit të Asociacionit.

“Ju e themeloni asociacionin me kompetenca thelbësore dhe kur ta bëni këtë, Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës. Asnjë lojë. Vetëm kur ta përmbushni ju, ne do ta përmbushim tonën”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiqi ka thënë se ndoshta Serbia do të bëjë diçka në mënyrë të njëanshme në shenjë vullneti të mirë, por se kjo nuk ka të bëjë me obligimin e Prishtinës.

“Është një detyrim që nuk është nënshkruar as në shkurt e as në mars, por që ekziston që nga 19 prilli 2013”, ka thënë ai.

Më tutje, Vuçiqi ka theksuar se duhet të përmbushen obligimet që të mos përfundojnë si disa marrëveshje të tjera, kështu që filluan luftërat, sepse disa i konsideruan ato marrëveshje vetëm si të përkohshme dhe për të fituar kohë.

“Ne në Serbi mund të jemi budallenj, por jo edhe aq mëdhenj. Ne patëm mundësinë të mësojmë nga ajo që po ndodh në botë. Kur ta përmbushni obligimin tuaj, atëherë ne do t’i futemi punës me gëzimin më të madh për të përmbushur atë që kemi premtuar publikisht”, ka theksuar Vuçiqi.

Vuçiq i ka thënë mysafirit nga Suedia se Serbia do të përmbushë gjithçka që ka thënë, por se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organet e saj të specializuara.

Ndërsa, shefi i diplomacisë suedeze, e ka uruar Vuçiqin për arritjen e marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se pret që të gjitha dispozitat dhe anekset të zbatohen menjëherë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës përkatësisht hetues nga Departamenti i Krimeve Ekonomike…