Vuçiqi: Zgjedhje të reja në Serbi më së voni në shtator
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se “më së voni” do të ketë zgjedhje të reja në shtator dhe se për këtë do të flet më shumë më 26 maj, raportojnë mediet serbe.
Mediet e afërta me qeverinë serbe kanë raportuar se më 26 maj pritet që Vuçiq të rrëzojë veten nga posti i presidentit dhe shpërbërjen e kabinitetit qeveritar të kryeministres Ana Brnabiq. Gjithashtu në këtë datë ai, ka thënë se nuk do të jetë më në krye të Partisë Përparimtare Serbe.
Para një jave tabloidi i regjimit serb “Informer.rs” kishte shkruar se Vuçiqi ka propozuar dorëheqjen e qeverisë, zgjedhje të përgjithshme dhe dorëheqjen e tij. Të gjitha këto, sipas kësaj medie, do të konfirmoheshin më 27 maj në Asamblenë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), siç e ka cituar “Vreme”.
Siç raportonte ky tabloid, Aleksandër Vuçiq, kishte propozuar tri opsione: “1. Pranimi i dorëheqjes së kabinetit të Ana Brnabiq; 2. Dorëheqja e përbashkët e qeverisë dhe presidentit dhe shkuarja në zgjedhje të përgjithshme në të cilat Vuçiq nuk do të mund të kandidonte për president; 3. Dorëheqja vetëm e presidentit”.
Aleksandër Vuçiq gjithashtu sot ka thënë se do të organizojë një “marsh të madh” të Partisë Përparimtare Serbe, siç e kanë cituar mediet serbe. Kujtojmë se kohëve të fundit gjithashtu ai ka synuar ndërtimin e një lëvizje mbi-partiake serbe dhe ka zhvilluar fushatë anekënd Serbisë.