Vuçiqit po i pengon qetësia dhe maturia e shqiptarëve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kërcënimi i Vuçiqit është provokim për të nxitur tensione të brendshme në Kosovë, sidomos ndëretnik.
“Atij po i pengon qetësia dhe maturia me të cilën janë duke e menaxhuar shqiptarët këtë situatë të krijuar me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe është duke tentuar ta shndërrojë mllefin e akumuluar në Kosovë në trazirë të brendshme duke cytur shqiptarët ndaj komunitetit serb”.
“Ai është koshient se Serbia është shporrur njëherë e përgjithmonë nga Kosova, por nëpërmjet cenimit të serbëve kosovarë nga shqiptarët synon të argumentojë dështimin e shtetit të Kosovës, për ta vënë në tavolinën e ndarjes mbi baza etnike”, ka shkruar Deliu, raporton “Epoka e re”.
Ajo ka theksuar se NATO/KFOR është përgjigje konsistente e kërcënimeve nga Serbia me vetë praninë ushtarake në Kosovë.
“Ata që duhet t’i reagojnë Vuçiqit janë ndërmjetësuesit evropianë, të cilët inkurajojnë atë të deklarohet për Kosovën pa bartur konsekuencat. Kërcënimi i Vuçiqit është veprim i hapur për të shkaktuar trazira të brendshme ndëretnike në Kosovë dhe heshtja e ndërmjetësuesëve të dialogut është indikator se ndarja e brendshme e Kosovës mbi baza etnike mbetet në agjendën e tyre”.
“Ne duhet t’u protestojmë këtyre ndërmjetësues të dialogut, para së gjithash”, ka shkruar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.