Vuhani del nga izolimi dy muajsh
Qyteti kinez në të cilin filloi pandemia koronavirus, Vuhan, është rihapur pjesërisht pas më shumë se dy muaj izolim. Turma të pasagjerëve shihen në fotografi kur mbërritën në stacionin e trenit Vuhan të shtunën. Njerëzit po lejohen të hyjnë, por jo të largohen, sipas raportimeve.
Vuhani, kryeqyteti i provincës Hubei, regjistroi më shumë se 50 000 raste të të infektuarve me koronavirus.
Të paktën 3 000 njerëz në Hubei vdiqën nga sëmundja. Por numrat kanë rënë në mënyrë dramatike, sipas shifrave zyrtare të Kinës. Të shtunën u raportuan 54 raste të reja që dolën një ditë më parë, për të cilat thuhet se janë të gjitha të importuara.
Përderisa Kina po lufton që t’i kontrollojë rastet që vijnë nga jashtë, ky vend ka vendosur një ndalesë të përkohshme për të gjithë vizitorët e huaj, edhe nëse ata kanë viza ose leje qëndrimi.
Po ashtu, shteti ka kufizuar linjat ajrore kineze dhe të huaja në një fluturim në javë dhe fluturimet nuk duhet të jenë më shumë se 75 % të plota.