Vukiqeviq: Superliga interesante, po argëtohem te Feronikeli
Trajneri i Feronikelit, Dejan Vukiqeviq, ka folur për faqen e klubit, “feronikelifc.com”, duke diskutuar rreth klubit, IPKO Superligës dhe nivelin e lojës së futbollit në Kosovë.
Ai tha që ardhja e vonë në klub, ia pamundësoi që të reagonte më shumë në afatin kalimtar, sidoqoftë theksoi që është tejet i kënaqur me lojtarët që janë te Feronikeli.
Si “pikë të zezë”, e konsideroi ndeshjen ndaj Ballkanit, të cilën Feronikeli e humbi me rezultat, 3-1. “Përveç ndeshjes ndaj Ballkanit, me pjesën tjetër të ndeshjeve jam i kënaqur. Sidoqoftë do të ishte shumë më e lehtë nëse do të kisha qenë në klub të paktën 10 ditë para fillimit të kampionatit, pasi që ardhja e vonë nuk më dha mundësi që të njoftohem me ekipin tim”, tha fillimisht tekniku malazez.
“Në shpejtësi, përmes stërvitjeve dhe ndeshjeve, jam njoftuar me kualitetin e futbollistëve, por ndeshjet që klubi luajti në kuadër të garave evropiane, na pamundësuan që të stërvitim intensivisht, pasi që ekipi ka qenë i lodhur qysh para fillimit të sezonit”, theksoi ai.
Vukiqeviq komentoi edhe IPKO Superligën e Kosovës dhe kualitetin e ekipeve të saj, duke thënë që po zhvillohet sezon interesant, por edhe më interesant do të jetë viti tjetër, kur zvogëlohet numri i ekipeve në IPKO Superligë. “Liga është e barabartë, me largimin e katër ekipeve, vitin tjetër do të jetë edhe më interesant dhe do të jetë shumë e vështirë të planifikohen pikët, pasi që favoritët do ta kenë tejet të vështirë të triumfojnë. Aktualisht mund të them që janë 5-6 klube më të mira se tjerat, mendoj dhe pres një kampionat tejet interesant”, tha Vukiqeviq.
Trajneri i Feronikelit komentoi edhe pritjen brenda klubit, duke thënë që është tejet i kënaqur që bën pjesë në këtë klub dhe duke e cilësuar si nivel të lartë pritjen që i është bërë këtu. “Sa i përket qëndrimit tim këtu (te Feronikeli), jam shumë i kënaqur edhe pritja e tifozëve ka qenë tejet e mirë, duke bërë që të më bie përgjegjësi më e madhe për të nxjerrë rezultate të mira këtë sezon. Secilën ditë që kaloj këtu argëtohem dhe punoj me përkrahjen maksimale të njerëzve brenda klubit”, tha ai.
Malazezi gjithashtu foli edhe për fondin e lojtarëve që ka dhe prurjet e reja në klub. “Për sezonin e plotë, me ambiciet që i kemi na duhen të paktën edhe 3 ose 4 futbollistë kreativ. Megjithatë jam i kënaqur me kuadrin e lojtarëve, por duhet theksuar që kampionati është i gjatë, do të ketë lëndime, do të ketë kartonë dhe na duhet freski në secilin repart. Do të ketë kohë të mendojmë për këto edhe më vonë, mirëpo nëse dikush vjen këtu, duhet ta dijë që duhet të jetë në nivelin e lojtarëve që kemi”, përfundoi Vukiqeviq.