Vukoviç: SHBA-ja po ia ngushton rrethin Serbisë – pritet njohja e Kosovës
Sinisha Vukoviç, ligjërues në Univesitetin “John Hopkins” në Uashington dhe vëzhgues i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, tha se hapësira manovruese e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, bashkë me kufijtë kohorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), dita-ditës janë duke u ngushtuar dhe rrjedhimisht, pritet edhe njohja e Kosovës nga Serbia.
Në këtë drejtim, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të hënën, ai theksoi se përkundër që presidenti serb do të vazhdojë të blejë kohë për një periudhë afatshkurtër, duke ushtruar funksionin e “zjarrvënësit dhe zjarrfikësit” në të njëjtën kohë, kjo qasje do të përfundojë shpejt. Madje, ai përmendi edhe sanksionet ndërkombëtare për autoritetet serbe.
“Vuçiç e kupton këtë sepse ai s’ka asgjë më shumë për t’i ofruar SHBA-së, veçse të jetë faktor stabiliteti në një rajon të turbulencave të përhershme ku është edhe zjarrvënës edhe zjarrfikës. Nëse unë ndez një zjarr, ata do të kenë nevojë që unë ta shuaj dhe në këtë mënyrë ai blen kohë në një afat të shkurtër që interesat të vazhdojnë të tejkalojnë disa norma dhe parime”.
“Megjithatë, tashmë shihet se edhe ajo kohë nuk është e pakufizuar, shumë sanksione janë futur, shumë ende nuk kanë ndodhur, rrethi po ngushtohet dhe koha po ikën për atë që pritet të ndodhë, që është njohja përfundimtare e Kosovës”, theksoi Vukoviç mes tjerash, duke shtuar se rrumbullakësimi i shtetësisë së Kosovës është synimi parësor i politikës së SHBA-së.
“Sado kohë të blihet me Vuçiçin, rezultati përfundimtar është se Serbia e njeh Kosovën dhe se Kosova bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare, merr liberalizimin e vizave, forcon forcat e armatosura dhe të gjitha këto janë hapa të vegjël që e bëjnë shtetësinë afatgjatë. Kosova ka më shumë gjasa, që është synimi parësor i politikës së jashtme të SHBA-së në rajon”.
Pritshmëria që Vuçiçi do të kontribuojë në “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsideruar nga njohës të shumtë të politikave ballkanike si një ndër arsyet kryesore pse autoritetet aktuale në Serbi gëzojnë mbështetjen perëndimore. E një faktor tjetër është edhe skena politike në Serbi, ku mungon një opozitë e fortë pro-pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, shumë analistë të huaj konsiderojnë se shpresat e bashkësisë perëndimore se perspektiva evropiane e Serbisë do ta shtynte Vuçiçin që t’u përmbahet normave demokratike në vend dhe të përmbahet nga minimi i vazhdueshëm i shteteve fqinje, tashmë janë thyer. Serbia vazhdon të marshojë sipas një daulleje krejt tjetër nga pjesa tjetër e kontinentit evropian.