Vukoviq: Taksa e Kosovës rrezikon 10 mijë vende pune në Bosnjë
Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Vjekoslav Vukoviq, tha se ekonomia në Bosnje tashmë po vuan pasojat e vendimit të Kosovës për rritjen e taksës së importit për 100 për qind për produktet boshnjake, ndërkohë që ky vendim mund të rrezikojë 10.000 vende pune.
Ai tha se vitin e kaluar Bosnja kishte eksportuar mallra në vlerë prej 156 milionë eurosh në Kosovë dhe se eksportet ishin 10 herë më të larta se importet nga Kosova.
“Prandaj, është e pamundur të ndërmerren kundër-masa ndaj këtij vendimi, sepse importi në raport me eksportet tona, është pothuajse i parëndësishëm. Më e prekur është agro-industria, ndërsa ndër produktet kryesore që shkojnë në tregun e Kosovës janë qumështi, lëngjet dhe nafta”, ka thënë Vukoviq.
Ai potencoi se janë të befasuar me këtë vendim të Prishtinës dhe se ekziston mundësia që një situatë e tillë ka qenë e parapërgatitur./REL