Vula e PD-së i mbetet Enkelejd Alibeajt, rrëzohet PD-ja e Sali Berishës
Gjykata e Apelit ka vendosur rikthimin e çështjes së PD-së në Gjykatën e Shkallës së Parë për gjykimin nga një tjetër trup gjykues.
Kështu, është pranuar ankimi i Enkelejd Alibeajt, i cili zhbën vendimin e gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.
“Sot gjykata vendosi rikthimin e çështjes në shkallën e parë me një tjetër trup gjykues. Ankimi i PD i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, u pranua, do të gjykohet nga një tjetër trup gjykues. PD vazhdon të drejtohet nga organet legjitime të saj. Do regjistrohemi ditën e hënë në KQZ”, tha Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor nga grupimi i Alibeajt.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi e cilësoi si vendim të marrë nën presionin e kryeministrit Edi Rama, “për përjashtimin e PD-së nga zgjedhjet”.
“Ky vendim ka thyer çdo rregull. Shënon një ditë të zezë për demokracinë. Është vendim që haptazi ka thyer çdo rregull që deri sot ka vendosur jurisprudenca duke pranuar ankimin e një pale që nuk përbën as minorancë në PD”.
Çfarë ndodhi të premtën?
Vendimi për PD-në u mor pas disa orësh seancë maratonë.
Grupi i Alibeajt përfaqësohej nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues të kryedemokratit Sali Berisha, ishte Ivi Kaso, i cili shoqërohej nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.
Gjatë fjalës së tij, Kaso kërkoi që Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet.
“Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Alibeajt tha se nuk është momenti procedural që të ngrihen të tilla pretendime, ndërsa shtoi se gjykata duhet të shqyrtojë të gjitha elementet. Mes të tjerash ai argumentoi se Rithemelimi s’lëshon dot autorizim.
“Ky nuk është momenti procedural ku ngrihet ky lloj pretendimi. Ne mendojmë se kjo gjykatë duhet t’i shqyrtojë gjithë elementet. Ne kemi bërë edhe shtesat e ankimit tonë. Komisioni i Rithemelimit nuk ka personalitet juridik dhe nuk mund të lëshojë autorizim, që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës”.
“Tërheqja” Alibeajt
Më 17 janar, Gjykata e Apelit pushoi gjykimin për çështjen e PD-së, pasi grupimi i Alibeajt u tërhoq nga ankimi për bashkimin e dy statuteve.
Ishte përfaqësuesi ligjor Indrit Sefa, ku përmes një deklarate tha se “sot dëshirojmë t’ju informojmë që në seancën gjyqësore që pritet të fillojë pas pak Partia Demokratike do të paraqesë një kërkesë për heqjen dorë nga ankimi e për pasojë pushimin e gjykimit të kësaj çështje”.
I vetmi vendim për t’u zgjidhur, ishte ai i Gjykatës së Tiranës (i njohur si vendimi i Agron Zhukrit), për të njohur statusin e Berishës, dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021.
Gjyqi i PD-së:
Ishte përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso – që e konsideroi nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj – ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.
Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.
Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.
Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.
Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.
Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.
Herë pas here janë bërë përpjekje për bashkim. Por, PD ka ngelur e ndarë. Me caktimin e 14 majit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, dy grupimet brenda PD-së bënë përpjekje për bashkim, duke përcaktuar edhe “nikoqirët e bisedimeve”.
Gazment Bardhi dhe Edi Paloka – pavarësisht përpjekjeve – nuk e gjetën konsensusin për të dalë me një kandidat të vetëm.
Kështu, pas kushteve të vendosura nga secili, konsensusi nuk u realizua.