Vuletiqi: Atë që e bëri Serbia për 10 vjet në Kosovë po e bën Rusia në Ukrainë
Kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiq, ka pranuar se Serbia është bombarduar në vitin 1999 sepse për 10 vjet në Kosovë e ka bërë atë që sot po bën Rusia në Ukrainë.
Si mysafir në emisionin “Kartoni i Kuq” në televizionin “Kurir”, ai ka thënë se shoqëria serbe duhet ta ketë parasysh këtë sa herë që e dënon agresionin e NATO-s.
“Unë e dënoj agresionin e NATO-s ndaj Serbisë, nuk është problem, por fillimisht duhet të bëjmë një analizë se pse jemi bombarduar. A filloi lufta në 1999 dhe më pas përfundoi për 3 muaj, apo Serbia e bëri në Kosovë për 10 vjet atë që Putin dhe regjimi i tij po e bëjnë tani në Ukrainë? A do të ishim bombarduar nëse nuk do të ishin Vukovari, Srebrenica, Dubrovniku, Sarajeva, e 6 muaj para bombardimeve edhe dëbimi i shqiptarëve nga Kosova?”, ka pyetur Vuletiqi.
Ai ka akuzuar drejtuesit shtetëror edhe për faktin se po e lejojnë Rusinë që ta përdor Kosovën për interesat e veta, por në kurriz të Serbisë.
“Së pari duhet të zgjidhet problemi më i madh, e ai është Kosova. Kur ia thyejmë atë atu Rusisë për gjoja mbajtjen e asaj që nuk kemi, çfarë lidhje do të kishte politika ruse me ne? Ne kemi mbetur terreni i fundit i provës së politikës ruse për të treguar muskujt e saj në Ballkan. Jam thellësisht i pakënaqur për këtë. Jam i vetëdijshëm se ky qëndrim është pakicë në Serbi, por koha do të tregojë se është qëndrimi i duhur”, ka thënë Vuletiqi.
Sipas tij, duke i marrë parasysh gjithë këto rrethana del se Bashkimi Evropian po i jep Serbisë më shumë shanse se që e meriton.
Vuletiqi është ndër politikanët e paktë serbë që pranojnë se Serbia duhet ta njeh pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të shkëputet me të kaluarën e errët.