Vulgariteti në ekranet tona!

07 korrik 2024 | 10:11

Umberto Eco thotë: “Sot, të mos dalësh në televizor është shenjë elegance”. Edhe Eco e ka fjalën për elegancën intelektuale e cila mund të përkufizohet si mendja që vazhdimisht përsoset me edukim dhe njohuri. Për të shpjeguar vulgaritetin intelektual në ekranet tona, i cili duket se mbizotëron mbi elegancën që mëton Eco, ekonomistët kanë një këndvështrim interesant.

Duke përdorur ekonominë, ka dy mënyra të ndryshme për të analizuar aktivizmin publik.

Një mënyrë është ta shohësh atë si një formë prodhimi dhe aktivizmi publik shihet si i tillë kur kërkon të sigurojë ose përmirësojë prodhimin e të mirave publike. Mënyra e dytë për ta parë aktivizmin publik është si formë konsumi.

Çfarë do të thotë të jesh konsumator i aktivizmit? Do të thotë që individi angazhohet në aktivizëm publik me qëllim që të gëzojë disa përfitime private, që nga ndjenja e përkatësisë e deri tek arritja e një statusi të caktuar shoqëror, ekonomik apo politik .

Çdo aktivist publik mund të motivohet nga njëra formë ose nga të dyja në shkallë të ndryshme. Por, implikimet e secilës formë në shoqëri janë të ndryshme .

Kur aktivizimi publik merr formën e prodhimin, duke synuar të mirën publike aktivisti publik është i informuar thellësisht për temën që angazhohet të trajtojë. Në këtë lloj aktivizmi vihet re vetëkontrolli dhe korrigjimi i kursit të qëndrimeve kur një qasje e përdorur është kundërproduktive edhe nuk prodhon “të mirën publike” të synuar.

Kur aktivizimi publik merr formën e konsumit, aktivisti kërkon kënaqësi personale, psikologjike, emocionale si dhe vlerësim social. Në vend që të fokusohet në çështjet që kanë rëndësi, konsumatorët e aktivizmit publik motivohet nga çfarëdo çështje që është në modë dhe që i bën ata të ndihen më mirë, ose të grenë statusin e tyre. Mbi të gjitha ata nuk thellohen të krijojnë njohuritë e nevojshme e të mjaftueshme për çështjet ku angazhohen të flasin. Ndërsa kur aktivizmi merr formën e prodhimit, njohuritë thella mbi çështjet, apo vetëkontrolli, sigurojnë mekanizmat e vlerësimit dhe korrigjimit. Tek aktivizmi publik si formë e konsumit, mungojnë tërësisht këto mekanizma, kështu që ky lloj aktivizmi ka më tepër gjasa të bëjnë dëm sesa mirë.

Ndoshta jam gabim, por ekranet tona janë mbushur me konsumatorë të aktivizmit edhe rrallë gjen aktivizëm publik prodhues. Sa më shumë shoh televizor aq më shumë bindem se gjysma e dëmit në këtë vend shkaktohet nga njerëzit që duan të ndihen të rëndësishëm. Ndoshta ata nuk duan të bëjnë dëm, sikurse po ashtu edhe dëmi që bejnë nuk u intereson. Të zhytur në luftën e pafundme për të menduar e për tu ndjerë mirë me veten ata e ose nuk e shohin, ose e justifikojnë dëmin që shkaktojnë shoqërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tarifat e reja të BE-së për automjetet elektrike kineze që…